Down Syndrome Albania (DSA)

Fondacioni Down Syndrome Albania (DSA – www.dsalbania.org ) u themelua në vitin 2013, nga nëna e një fëmije me sindromën Down, si nevojë për të institucionalizuar zërin advokues për të drejtat dhe nevojat e individëve me sindromën Down në Shqipëri, dhe për të ofruar shërbimet terapeutike që shteti nuk i ofron. Në qendrën e Shërbimeve “PRO PAK” të fondacionit marrin aktualisht shërbime terapeutike 41 fëmijë me aftësi të kufizuara dhe sfida në zhvillim të moshave 0-12 vjeç, dhe 20 të rinj ndjekin kursin e autonomisë sociale.

Qendra ofron një gamë të gjerë shërbimesh që nisin me vlerësimin e zhvillimit të fëmijës nga grupi multidisiplinar i cili në përbërje ka: psikiatër infantil, neuro-pediatër, psikolog klinik, teknicienin e metodës ABA, fizioterapeut, logoped dhe psikologun që vlerëson dinamikën e familjes dhe këshillimin e tyre. Fëmijët marrin terapi individuale në senaca 55 minutëshe si: terapi zhvillimi, terapi me metodën ABA, logopedi, fizioterapi, terapi në ujë (në sezonin e verës në pishinë të hapur) si dhe kurse të autonomisë personale dhe sociale individuale ose në grup. Në varësi të kërkesës së prindërve qendra ofron dhe shërbimin e pedagogjisë special me fokus aftësitë akademike për fëmijët në moshë shkollore si dhe vlerësim dhe mbështetje terapeutike në ambjente natyrale siç janë shtëpia, çerdhja, kopshti dhe shkollat. Për prindërit DSA ofron terapi individuale ose në grup si dhe konsulencë ligjore dhe informim për të drejtat dhe procedura që lidhem me aspekte si diskriminimi, arsimi gjithëpërfshirës, procedurat e KMCAP, etj.

Qendra operon nga e hëna në të e premte nga ora 08:00 – 20:00 dhe ndodhet në adresën Rr. Hajredin Kumbaro, Vila 5, Sauk (rrethrrotullimi i kuq).

Sfida më e madhe për fondacionin është mungesa e qëndrueshmërise financiare dhe sigurimi i fondeve për ofrimin e shërbimeve terapeutike.

Për të rritur ndërgjegjësimin për kauzën DSA shpesh bashkëpunon me artistë për projekte që në fokus kanë fëmijët me sindromën Down.

Kështu një nga projektet më të suksesshme të DSA rezultoi ekspozita “Edhe unë jam vepër arti”. Kjo ekspozitë ishte ide e fotografes Soela Zani, e cila në bashkëpunim me stilisten Lilo Shehu, riprodhuan përmes fotografisë disa prej pikturave të famshme botërore por dhe shqiptare si ajo e Kol Idromen “Motra Tone”.

Ky projekt e çoi emrin e DSA dhe të Soelës në media dhe portale ndërkombëtare si „People“ “Vanity Fair”, etj. Për të pare të 18 veprat mund të klikoni këtu: https://www.facebook.com/media/set/?vanity=DownSyndromeAlbania&set=a.711067888992723

Projekte të tjera artistike kanë pasur në fokus dhe këngën:

Orgesa Zaimi e Kamela Islami i kanë kushtuar këngën e tyre “Lëviz me Mua” Fondacionit tonë. https://www.youtube.com/watch?v=2vGoT2Jo8fs

Turjan Hyska në Festivalin e 53-të Këngës në RTSH këndoi këngën e tij “Beso në sytë e mi“ i shoqëruar në skenë dhe nga fëmijët e qendrës sonë: https://www.youtube.com/watch?v=yt-kH0PcUOo

Markel Capo, një tjetër artist piktor dhe vullnetar i përhershëm i fondacionit konkuroi në Kënga Magjike 2017 me këngën “Si unë” kushtuar personave me sindromën Down:https://www.youtube.com/watch?v=Il4hNn12Azg

__________________________________________

Nëse keni nevojë për shërbimet e DSA ju mund të kontaktoni me drejtoreshën e shërbimit, MSc Flavia Shehu në nr 0692325874.

Kthehu te Blog-et